Sara Makishti është instruktoria jonë e Akademisë së Programimit Front-End në Brainster Albania. 

Ajo është një Software Engineer me përvojë pune për më shumë se 3 vite, e cila është po ashtu e punësuar si Front-End Developer në Sciant. 

 

Njihuni me Sarën dhe zbuloni më shumë për të.

 

Emri dhe mbiemri: Sara Makishti

Profesioni: Front-End Developer

Akademia: Akademia e programimit Front-End

Përvoja: 3+ vite eksperiencë profesionale

Pse Programimi Front-End: Sepse është ndjesi e bukur të shprehësh krijimtarinë duke përdorur kodimin për të ndërtuar ndërfaqe tërheqëse për shumë përdorues!

Thënia e preferuar: I’m not superstitious, but I am a little stitious.

Libri i preferuar: The Stranger – Albert Camus | I Huaji – Albert Kamy

 

Përshendetje Sara! Ti je instruktore në Аkademinë e programimit Front-End në Brainster Shqipëri. Ne si Brainster të njohim, por çfarë do të kishe ndarë për të tjerët, kush është Sara?

Përshëndetje të gjithëve! Unë jam Sara, kam mbaruar studimet Bachelor për Informatikë Ekonomike pranë universitetit Epoka dhe jam programuese me fokus në front-end për më shumë se 3 vite tashmë. Programimi nuk ka qenë në fakt ajo çka mendoja se do bëja si profesion por, gjithmonë më ka tërhequr teknologjia dhe në fund vendosa që si profesion të ndjek diçka të veçantë, një degë që ndërthur teknologjinë me ekonominë dhe sipërmarrjen. Në pjesën personale, jashtë profesionit, më pëlqen të zgjeroj njohuritë e mia në fusha të ndryshme dhe dua të marr sa më shumë informacion mbi gjithçka që mundem: letërsia, historia botërore, filozofia, bota e financës, pop culture, japanese culture janë disa nga shumë fushat e mia të interesit.

 

Si e kalon kohën tënde të lirë dhe cilat janë hobit e tua?

Zakonisht, përpiqem ta përshtas kohën e lirë duke u bazuar se si ka qenë dita apo java ime. Në rastet kur kam pasur një ditë apo një javë të lodhshme, preferoj thjesht të shoh filmat dhe serialet e mia të preferuara si për shembull The Office. Herët e tjera, më pëlqen të kaloj kohë jashtë, të shëtis nëpër qytet apo tek parku i liqenit, të lexoj librat që kam në listë për te lexuar dhe ndonjëherë të eksperimentoj më receta të reja në kuzhinë. Një hobi ‘i çuditshëm’ që kam është të lexoj faqet e Wikipedia-s, për ngjarje apo persona të famshëm historikë ose modern.

 

Çfarë do të kenë studentët mundësinë për të mësuar prej teje? 

Qëllimi im si instruktore në Akademinë e Front-End-it, është të përgatis studentët me problematikat që do të hasin drejtëpërsëdrejti në një projekt real në punë. Kam qenë me fat që në të gjitha projektet që kam punuar deri më sot, të kem përdorur teknologji moderne të cilat edhe kërkohen nga shumë punëdhënës, si për shembull JavaScript ES6, TypeScript, React.js, Next.js. Kështu, studentët do të kenë mundësinë që përmes eksperiencës sime, të njohin praktikat më të mira të kodimit dhe ruajtjes së cilësisë në një projekt si dhe të njihen me mënyrat e zgjidhjes së problemeve më të zakonshme në projektet e mëdha me shumë pjesëtarë në ekip.

 

Çfarë do të thuash për programimin Front-End, a është e lehtë për ta mësuar?

Po, edhe jo. Shpesh, kam vënë re se disa programues apo studentë kanë një mendim paksa të gabuar për programimin në front-end – mendojnë se është tepër i lehtë dhe se puna jonë është vetëm vendosja e disa butonave dhe ndryshimi i ngjyrave! Por, zhvillimi modern në front-end është komplikuar goxha faktikisht. Vërtet bazat e front-end-it si strukturimi i elementëve me HTML dhe dizajnimi me CSS janë të lehta për t’u kuptuar dhe për t’u zbatuar, por kjo është vetëm një pjesë e vogël e punës së përditshme të një programuesi në front-end. Ajo që e bën të ‘vështirë’ për ta mësuar janë problematikat e responsivitetit (responsive design) për të përshtatur faqet apo aplikacionet në pajisje me përmasa të ndryshme ekranesh, problematikat e performancës, për të siguruar që faqja apo aplikacioni nuk ngec, kontenti renderizohet shpejt dhe përdoruesit kanë një eksperiencë të kënaqshme gjatë përdorimit apo dhe problematikat e arkitekturës së kodit – përdorimi i praktikave më të mira dhe ndarja logjike mes komponentëve dhe serviseve në një faqe apo aplikacion. Si përfundim, mendoj se front-end-i është i lehtë dhe kapet shpejt nga fillestarët të cilët mund të bëjnë setup me lehtësi projekte të vogla, por vështirësohet gjatë rrugës nëse duhet të krijosh projekte më të mëdha dhe cilësore.

 

Cilat janë këshillat që do t’i japësh studentëve të ardhshem?

Mendoj se të gjithë ata që do të nisin akademinë së shpejti, duhet të kuptojnë që është mëse normale të gabojnë apo mos t’i dinë të gjitha përnjëherësh. Programimi si fushë është vazhdimisht në ndryshim dhe gjëra të reja dalin thuajse çdo ditë. Do i këshilloja studentët të mos demoralizohen nëse nuk u del kodi, nëse bëjnë diçka gabim apo nëse nuk dinë se si të përdorin një teknologji. Duhet pasur shumë durim dhe përkushtim për të mësuar bazat e programimit dhe pastaj çdo gjë tjetër do jetë shumë më e lehtë për t’u mësuar. Mendoj se programuesit më të mirë janë ata që këmbëngulin për të zgjidhur një problem deri në fund dhe nuk dorëzohen vetëm se nuk dinë mjaftueshëm apo nga gabimet që kanë bërë.

 

Së fundmi, disa Tips & Tricks për studentët?

Jane disa metoda, klasa, funksione të cilat do i përdorni çdo ditë dhe nuk do i harroni, por për të tjerat, nuk ju duhet të mbani mend çdo gjë përmendësh. Ka mjaftueshem dokumentacione dhe mënyra zgjidhjesh online të cilat do ju ndihmojnë gjatë punës – përdorni të gjitha burimet që keni në dispozicion duke u bërë selektiv të dalloni kodin cilësor nga ai kod që thjesht zgjidh punë për momentin. Prandaj, i shtyj studentët që të përdorin internetin sa më shumë të jetë e mundur: Google, Stackoverflow, Github dhe të përfshihen në komunitete online me programues të tjerë pasi shkëmbimi i ideve apo eksperiencave do ju vlejë tepër.

 

Akademinë e Programimit Front-End do të keni mundësinë të punoni në projekte reale dhe të mësoni nga instruktorët më të mirë.

Regjistrimet janë në vazhdim. Caktoni një takim informativ dhe rezervoni vendin tuaj në kohë!

Related Stories For You

Trending Stories që mund të ju interesojnë

A mund të të zëvendësojë AI? 🤔 Përgjigju këtyre 10 pyetjeve dhe zbuloje!